Vali Qyrfyçi
Tregu i punës po orienton gjithnjë e më shumë jo vetëm të rinjtë drejt degëve të studimit, por edhe universitetet për t’iu përshtatur këtyre kërkesave ndonëse nuk është e thjeshtë për shkak të infrastrukturës dhe burimeve njerëzore që kërkohen dhe ato që cenohen prej tyre, pedagogët.
Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës po përjeton një interes të shtuar nga studentët e rinj këtë vit akademik, me rreth 1,500 studentë të regjistruar ku degët më të preferuara nga studentët janë ato që ofrojnë mundësi të mira punësimi, siç është Infermieria. Në këtë program studimi të gjitha kuotat u plotësuan që në raundin e parë të regjistrimeve. Degët e teknologjisë së informacionit dhe biznesit gjithashtu po tërheqin një numër të madh aplikimesh.

Rektori i Universitetit të Durrësit, Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi, theksoi në një intervistë se:
“Kërkesat më të mëdha janë në programet e teknologjisë së informacionit, si programim dhe shkencat kompjuterike. Numër të lartë regjistrimesh ka edhe në degët Financa-Kontabilitet dhe Menaxhim Biznesi. Infermieria gjithashtu ka pasur rritje, edhe në krahasim me vitin e kaluar.”
Aktualisht, Universiteti “Aleksandër Moisiu” ofron 106 programe studimi në pesë fakultete të ndryshme. Megjithëse disa programe, si Historia dhe MarrëdhënietNdërkombëtare, Filozofi-Sociologjia, dhe programet 2-vjeçare të mekanikës bujqësore dhe asaj detare, kanë tërhequr më pak interes, Fortuzi siguroi se asnjë nga degët nuk është në rrezik të mbyllet:
“Asnjë nga programet e studimit nuk rrezikon. Përkundrazi, ato janë stabile dhe kanë një rritje të lehtë.”

Në kuadër të bashkëpunimit me universitete të njohura europiane, UAMD është pjesë e aleancës Stars EU, e cila përfshin 9 universitete europiane. Përmes kësaj aleance, UAMD ofron 10 programe të përbashkëta studimi dhe vitin e ardhshëm pritet të diplomohen vitin e ardhshëm 15 studentët e parë me diploma të dyfishta. Universiteti numëron rreth 18 mijë studentë dhe ka akredituar shumicën e programeve të tij të studimit, ndërsa është në proces akreditimi për pjesën e mbetur.
“Jemi munduar të bëjmë gjithnjë riorganizim kurrikulash dhe ndaj UAMD është i preferuar nga studentët. Ky universitet është nga të paktët në Shqipëri që ka mbi 70% të programeve të akredituara sipas standardeve të cilësisë. Brenda këtij viti do të akreditohet edhe pjesa e mbetur,” tha rektori i UAMD-së Prof.Dr. Fortuzi.
Vitin akademik 2024-2025, UAMD ka hapur gjithashtu dy degë të reja, atë të Ekonomisë Qarkulluese dhe për Edukator për fëmijët 1-3 vjeç, të cilat kanë regjistrime premtuese.
©️zërionline


