Prezantohen drejtuesit e rinj të Policisë në Tiranë dhe Durrës: Prioritet, siguria dhe bashkëpunimi me komunitetin. Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, nisi prezantimin e 12 drejtorëve vendorë nga Tirana. Një nga emërimet kyçe është ai i Elton Alushit në krye të Policisë së Tiranës, i cili pritet të sjellë një qasje të re në konsolidimin e strukturave të sigurisë dhe përmbushjen e pritshmërive të qytetarëve të kryeqytetit.
Në përputhje me vizionin “Shqipëria 2030”, Tirana, si zemra administrative, ekonomike dhe sociale e vendit, u shpreh ministri Hoxha, kërkon një polici që jo vetëm parandalon dhe lufton krimin, por edhe ndërton besim dhe bashkëpunim me komunitetin. Në këtë drejtim, u la porosi për zbardhjen e shpejtë të ngjarjeve kriminale dhe rihapjen e hetimeve për ngjarje të pazgjidhura, të cilat vazhdojnë të ndikojnë negativisht në shoqëri.



Një tjetër emërim i rëndësishëm u realizua në Qarkun e Durrësit, një zonë strategjike për shkak të pozicionit të saj si porta hyrëse e Shqipërisë. Vilson Bala, i cili vjen me një karrierë të gjatë dhe të suksesshme brenda Policisë, u rendit i pari në konkurrim dhe tani do të drejtojë strukturat policore në këtë zonë.
Durrësi, si qendër ekonomike, turistike dhe tranzit, përballet me sfida të shumta, duke përfshirë luftën ndaj krimit të organizuar, trafiqeve dhe evazionit. “Drejtuesi i ri dhe ekipi i tij do të punojnë ngushtë me agjencitë ligjzbatuese për të garantuar një mjedis të sigurt për banorët dhe vizitorët”, tha Hoxha.
Siguria, si një përgjegjësi e përbashkët e shoqërisë, kërkon një angazhim të plotë dhe një qasje të balancuar mes zbatimit të ligjit dhe ndërtimit të marrëdhënieve të ngushta me komunitetin.
Sipas drejtuesve të ministrisë dhe policisë, këto emërime të reja shënojnë një hap përpara drejt rritjes së besimit dhe efikasitetit të strukturave policore në Shqipëri, ndërkaq qytetarët dhe e gjithë shoqëria duhet të presin për ndryshimet që këto emërime do të sjellin.


