Durrës, Ja skema e tjetërsimit nga tokë shtet në privat përmes mashtrimit

Date:

Share post:

Një ditë më parë, gjatë një seance të zhvilluar me dyer të mbyllura, Gjykata e Durrësit la në fuqi masën e sigurisë “arrëst në burg” për 5 të arrestuarit për tjetërsimin e 151 mijë m2 tokë në Spitallë të Durrësit. Gjyqtari Paulin Çera pasi verifikoi dhe konstatoi respektimin e kushteve për zbatimin e masës shtrënguese arrest në burg vendosi që Leonard Kadrimi, Ardit Kërtusha, Gjovalin Ndoci, Lirim Xhameta dhe Dashnor Taulla të mbeten në të njëjtën masë sigurie të vendosur nga kjo gjykatë paraprakisht të enjten e kaluar. Në bashkëpunim të arrestuarit kanë tjetersuar pronësinë e një sipërfaqeje të konsiderueshme toke në Spitallë. Në kuadër të të njëjtit hetim janë shpallur në kërkim 2 shtetas të tjerë, përkatësisht Krenar Karati dhe ish-juristi i Kadastrës së Durrësit, Mikel Zaho.

Ideatorët dhe realizuesit e kësaj skeme të paligjshme të tjetërsimit të pronave, sipas hetimeve të deritanishme, janë Ardit Kërtusha dhe Gjovalin Ndoci, të cilët janë ndihmuar përmes shpërdorimit të detyrës nga ish-zv.regjistruesi i pasurive të paluajtshme në Durrës, Leonard Kadrimi dhe dy ish-juristë të Hipotekës. Hetimet për këtë skemë abuzive nisën nga prokurori Pal Deçolli në shkurt të vitit të kaluar pas denoncimit të një qytetari se toka e tij për njohjen e pronësisë së të cilës ishte në proces gjyqësor, në Gjykatën e Lartë, ishte zaptuar nga dy subjekte, që deklaronin se e kishin blerë atë. Nga hetimet rezultoi se janë bërë një sërë shkeljesh për tjetërsimin e kësaj pasurie. Hetimet kanë zbuluar se praktikat për tjetërsimin e pronës janë kryer në vitin 2019 dhe arbitrarisht janë futur në arkivën e kadastrës si të regjistruara në 2010. Pas kësaj për qëllime fitimi toka i është shitur kompanive të ndryshme. 

Ndërkohë prokuroria e Durrësit, po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht dhe përvetësimin e paligjshëm të pronësisë së një sipërfaqeje tjetër toke prej afro 250 mijë metra katrorë në zonën industriale të Spitallës.

Skema e tjetërsimit të pronës përmes mashtrimit:

Hetimet intensive të drejtuara nga prokurori Pal Deçolli kanë zbardhur skemën abuzive të tjetërsimit të disa dhjetra hektarëve tokë në zonën e Spitallës. Gjithçka nisi më 9 shkurt të vitit 2023, kur shtetasi Fiqiri Sh. Kallëzoi në Komisariatin e Policisë Durrës faktin se është bashkëpronarë në dy parcela toke në lagjen nr.15 Spitallë në vendin e quajtur lagja “Mirdita”, konkretisht parcela me sipërfaqe 16310 m2 dhe 46779 m2, por një pjesë e saj, rreth 20,000 m2, është e rrethuar me mur betoni. Në lidhje me këto parcela denoncuesi është në proces gjyqësor për njohjen e pronësisë në Gjykatën e Lartë. Policia Gjyqësore ka kryer kqyrjen e parcelave të pretenduara nga ku ka rezultuar se në njërën sipërfaqja është në formë katrore me përmasa 200×200 m dhe është e shtruar me cakull, që dyshohet se është e subjektit DAST, ndërsa sipërfaqja tjetër është e rrethuar me mur betoni e pashtruar dhe është e subjektit Ital Metalba. Ndërmjet këtyre dy parcelave ndodhet një hapësirë toke me bimësi dhe ndodhen rreth 200 metra larg njëra-tjetrës. Nga ana e subjektit Ital Metalba është dorëzuar tek Policia Gjyqësore dokumentacioni i pronësisë nga ku rezulton se ky subjekt në vitin 2021 ka blerë nga shoqëria INA një sipërfaqe toke prej 20,000 m2.

Nga kryerja e veprimeve hetimore në dinamikë, ndër të tjera ka rezultuar se pasuria e rregjistruar në ASHK fillimisht në emër të shtetasit Lirim Xhameta me një sipërfaqe prej 75,000 m2 dhe më pas e ndarë dhe tjetërsuar është përfituar në mënyrë tërësisht joligjore, ashtu si dhe pasuria në emër të shtetasit të ndjerë Dilaver Taulla me një sipërfaqe prej 76,000 m2 e kaluar në emër të trashëgimtarëve të tij dhe e tjetërsuar prej tyre. Edhe kjo e përfituar në mënyrë tërësisht jo ligjore.

75,000 m2 tokë kundrejt 2 milion lekë të vjetra?! 

Për të kuptuar si e përfitoi këtë pasuri, është marrë në pyetje Lirim Xhameta, i cili ndër të tjera ka deklaruar se rreth viteve 2018 – 2019 e ka kontaktuar një person me emrin Diti, që i ka thënë se do t’i bënte ai dokumentat për përfitimin e një sipërfaqe toke prej 3,000 m2, meqë Lirimi pretendonte se kishte qenë punëtor ferme. Pas rreth 2 muajsh nga kjo bisedë, Diti e ka takuar pranë ish NPV Durrës dhe i ka dhënë për të firmosur një Akt Marrje Toke në Pronësi, të paplotësuar. 

Pas rreth 4 muajsh, Diti e ka takuar sërish dhe I ka thënë se do t’i jepte 200,000 lekë në këmbim të tokës, të cilën Lirim Xhameta nuk i dinte as vendndodhjen. Gjithashtu ky shtetas i ka thënë se duhet të shkonte tek një Zyrë Noteriale për të nënshkruar disa dokumenta. Pas kësaj së bashku me bashkëshorten dhe djalin kanë nënshkruar më datë 20.04.2019 një Prokurë të Posaçme tek Zyra Noteriale e J. B. në emër të shtetasit Gjovalin Ndoci dhe pas pak orësh që nënshkruan këtë dokument, shtetasi me emrin Diti u ka dhënë shumën e premtuar prej 200,000 lekë. Përmes prokurës dhe kundrejt 200 mijë lekëve, kjo familje i ka dhënë tagër të plotë tjetërsimi të 4 pasurive tokë arë të cilat ndodhen në Zonën Kadastrale nr.8517 Spitallë dhe konkretisht me sipërfaqet 19,000 m2; 25,000 m2; 16,000 m2 dhe 15,000 m2.

Që nga ai moment Lirimi, që sot ndodhet i arrestuar në burg, dhe familjarët e tij në hetim nuk kanë asnjë dijeni në lidhje me veprimet e mëtejshme me këtë pasuri. Lirimi ka deklaruar se nuk ka dijeni që të ketë përfituar 75,000 m2 si ish pronar dhe nuk ka aplikuar kurrë për këtë pasuri, as në ASHK Durrës, as në Këshillin e Qarkut dhe as në ndonjë institucion tjetër.

Gjovalin Ndoci ka pranuar se e ka nënshkruar prokurën dhe ka vijuar me tjetërsimin e pronave, duke deklaruar se këtë e ka bërë pasi ia ka kërkuar një ish-këshilltar i bashkisë së Durrësit që nuk jeton më, kundrejt një fitimi prej 500,000 lekësh për kontratë. Parcelat me një sipërfaqe në total 75,000 m2 brenda vetëm 20 ditëve u shitën në një vlerë totale prej 17,000,000 lekë (të rinj).

Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi nr.764 dt.23.06.1999, në emër të shtetasit Lirim Xhameta, si ish pronar, për 4 parcela me sipërfaqe totale prej 75,000 m2, dyshohet se është tërësisht i fallsifikuar. Gjithashtu praktika e rregjistrimit fillestar, e cila ka marrë numër reference 2515 dt.03.05.2010 dyshohet te jete futur arbirtrarisht në arkivën e ASHK Durrës në vitin 2019 dhe jo në vitin 2010.

Të paktën shkresa nr.27/1 dt.27.01.2005 e Komisionit të Tokës në Qark pranë Këshillit të Qarkut Durrës nuk rezulton të ketë rregjistrim hyrje në ish ZVRPP Durrës.

Shtetasja Shpresa K., emri i së cilës është në fletën e inventarit e mohon kategorikisht hartimin prej saj të kësaj praktike duke pasqyruar faktin se i është fallsifikuar shkrimi dhe nënshkrimi. Shtetasi Bedri Luku ish- Kryerregjistrues në vitin 2010 e mohon kategorisht nënshkrimin e tij në praktikat përkatëse dhe më pas në certifikatat e pronësisë të lëshuara në emrin e tij.

AMTP në fjalë është në mungesë, pra jo i skanuar në ASHK Durrës në vitin 2017 dhe në Librin e ngastrave fillimisht nuk ekzistojnë këto pasuri, por rezulton të jenë shtuar më vonë me shkrim dore. 

Gjithashtu, hetimet kanë çuar në zbardhjen e faktit se për të gjitha këto praktika janë përdorur kërkesat për aplikim të rregullta duke u skanuar këto kërkesa që i përkasin tërësisht pasurive të tjera. Rivlerësimet e këtyre pasurive janë të vlerave tejet të larta e konkretisht:

Rivlerësimi për sipërfaqen 19,000 m2 u bë për 68,400,000 lekë

Rivlerësimi për sipërfaqen 16,000 m2 u bë për 57,600,000 lekë 

Rivlerësimi për sipërfaqen 15,000 m2 u bë për 54,000,000 lekë 

Rivlerësimi për sipërfaqen 25,000 m2 u bë për 90,000,000 lekë 

Dhe janë këto rivlerësime që bënë të mundur mospagimin e tatimeve të ndryshme në lidhje me tjetërsimet e tyre. 

“Trajtimi i këtyre praktike i është ngarkuar juristit Mikel Zaho dhe hartografit Malvino T. Rezulton nga administrimi i printimeve nga sistemi Multifunksional, se praktikat në fjalë nuk i ka kaluar përgjegjëses së Zonës dhe nuk është nënshkruar nga Rregjistruesi Liridon Pula, por nga zv/Rregjistruesi Leo Kadrimi më datë 14.06.2019. Pra të gjitha veprimet në ASHK janë kryer në 2 ditë. Kjo provohet edhe nga pyetja e shtetasve Liridon Pula rregjistrues dhe Albana Gjoni përgjegjëse e Zonës. Nga kqyrja e sistemit Multifunksional rezulton se veprimet e para në muajin Maj 2019 të jenë kryer nga shtetasja Aida Kila ish juriste në ASHK Durrës.”- thuhet në dosjen hetimore. 

Pasi i shet fillimisht, Gjovalin Ndoci e blen nga kompania së cilës ia shiti për ta rishitur me një tjetër vlerë që rrit përfitimin e kompanisë, por dhe të Ndocit që deklaron se ka vepruar në emër të personit që e ka kontaktuar. 

E njëjta skemë dhe për 76 mijë m2 në emër të shtetasit Dilaver Taulla.

Nga hetimet mbi këtë pasuri ka rezultuar shtetasi Dashnor Taulla, një nga trashëgimtarët e të atit rreth muajve maj – qershor 2019, është kontaktuar nga i njohuri i tij Krenar Karati që i ka thënë se njihte dikë që t’i rregullonte dokumentat për të përfituar tokë. Më pas, të dy janë takuar me Ardit Kërtushën. Pasi kanë rënë dakort pjestarët e familjes Taulla kanë shkuar të gjithë tek e njëjta zyrë noteriale dhe kanë firmosur disa dokumenta, por pa i specifikuar se çfarë ishin konkretisht. Pas disa muajsh ka pyetur se çfarë u bë me tokën e premtuar, po nuk ka marrë një përgjigje përpos një debati me Arditin.  

Në vijim shtetasi Dashnor Taulla ka deklaruar se pasi ishte thirrur gjatë hetimeve në Prokurori për përfitimin e 76,000 m2 tokë ka pyetur shtetasin Krenar Karati në lidhje me këtë dhe Krenari ka thërritur Arditin dhe të tre së bashku janë takuar, ku Arditi I ka thënë që unë me ty (Dashnorin) nuk kam pasur marrëveshje, por këtë e kam pasur me Krenarin, i cili ka deklaruar se nuk ka asnjë lloj dijenie në lidhje me përfitimin e sipërfaqes prej 76,000 m2, ndërsa Kërtushën e njeh pasi rreth 5 vjet më parë e ka kontaktuar për disa punime ndërtimi e konkretisht për hapjen e një grope pallati. Vetë Kërtusha, kur është pyetur nga prokuroria ka deklaruar se nuk i njeh pjestarët e familjes Taulla dhe nuk ka asnjë lloj dijenie për përfitimin prej tyre të sipërfaqes prej 76,000 m2.

Organi procedues ka sekuestruar pranë Zyrës Noteriale ndër të tjera dhe dokumentin Prokurë e Posaçme të dt.18.06.2019, në të cilën shtetasit Dashnor Taulla dhe 5 vëllezërit e motrat e tij (trashëgimtarë të të ndjerit Dilaver Taulla) kanë deklaruar se kanë në pronësi pasuri të ndodhura në Zonën Kadastrale nr.8517 dhe konkretisht 4 parcela toke në sipërfaqe të ndryshme me sipërfaqe totale 76 mijë m2. Përmes prokurës kjo familje i jep tagra të plota tjetërsimi të kësaj pasurie shtetasit Oliver Xhamuça.

Nga hetimet dhe për këtë rast rezultoi se akti i marrjes në pronësi të tokës dyshohet se është tërësisht i fallsifikuar pasi, Dilaver Taulla ka vdekur në vitin 2003 dhe sipas trashëgimtarëve deri në vitin 2010, asnjë prej tyre nuk ishte në dijeni se babait të tyre i takonte tokë në NB Spitallë si ish pronar.

Edhe për këto toka, Bedri Luku ish Kryerregjistrues në vitin 2010 e mohon kategorisht nënshkrimin e tij.

I gjithë mekanizmi i kryerjes së veprave penale si në rastin e parë të përfitimit të sipërfaqes prej 75,000 m2 prej shtetasit Lirim Xhameta, ashtu dhe në rastin e dytë të përfitimit të sipërfaqes prej 76,000 m2 të shtetasit të ndjerë Dilaver Taulla është identik dhe ka dyshime të arsyeshme nga akuza që të jenë të njëtët autorë. 

Veprimet përkatëse në ASHK janë kryer nga ana e juristit Mikel Zaho dhe pasi janë rregjistruar nga Zaho pa e verifikuar imtësisht dokumentacionin, që është i falsifikuar, i janë përcjellë praktikat zv.drejtorit Leonard Kadrimi i cili ka lëshuar certifikatat e pronësisë brenda dy ditësh në qershor 2019.  

Lidhur me prokurën e nënshkruar për Oliver Xhamuçën, familja Taulla është shprehur se nuk e njeh këtë shtetas. Vetë Xhamuça ka pohuar se nuk njeh asnjë nga pjestarët e familjes Taulla, por në vitin 2019, Ardit Kërtusha me të cilin kishte njohje i ka thënë që të shkonte tek Zyra Noteriale që të firmoste disa dokumenta pasi Arditi do të përfitonte një sasi toke duke i premtuar se pasi t’i shiste do t’i jepte një sasi parash. Sipas tij, ai nuk kishte lidhje me këto toka dhe nënshkrimi ka qenë thjesht për t’i bërë nder Arditit. 

Rezulton se shtetasi Oliver Xhamuça, mbi bazë të prokurës, në të njëjtën datë i ka dhuruar pasuritë te shtetas të tjerë. Njëri prej përfituesve nga dhurimi, Gjon B. ka deklaruar se në të vërtetë ai ka paguar shumën 60,000 euro për sipërfaqen 58,000 m2, por ka qenë kërkesa e Dashnor Taullës që kontrata të bëhej me dhurim. 

“Shpërdoruesit e detyrës”


Ndërkohë në lidhje me këtë çështje, ish-juristja e Kadastrës Aida Kila, që ka punuar pranë ASHK Durrës nga viti 2008 deri në muajin gusht 2019, ka deklaruar se ka pasqyruar në kartelat e pasurive të kërkuara, të dhënat dhe se ajo nuk e ka pasur detyrë verifikimin e origjinës së pronës, por vetëm pasqyronte të dhënat që ndodheshin në volum për pasuritë përkatëse. Edh ish-juristi Mikel Zaho, ka deklaruar se nuk e ka patur si detyrë verifikimin e rregjistrimit fillestar dhe se pasi i punonte praktikat ia kalonte shefit të zonës dhe ky i fundit drejtuesit të zyrës.

Leonard Kadrimi, që ka punuar pranë ASHK Durrës nga muaji dhjetor 2018 deri në prill 2020, si zv/rregjistrues dhe zv/drejtor në ASHK Durrës, ka deklaruar se përvec nënshkrimit në 2 certifikata pronësie për të cilat ka dyshime, nënshkrimet e tjera janë të tij. Sipas tij, nuk ishte kompetencë e tij verifikimi i origjinës së pronës apo dokumentave të tjerë në to, por kjo detyrë ishte e personave që ia sillnin për firmë. Në vijim ai ka deklaruar se “asnjë praktikë nuk kalohej apo firmosej prej tij pa e miratuar më parë shefja e zonës që ka qenë Albana Gjoni dhe pasi kjo e fundit jepte OK, Leonardi nënshkruante praktikën. Nëse praktika do të kishte problem, Albana ia kthente juristit për akt verifikimi. Në sistemin elektronik, Albana vendoste shënimin “rregjistruesi” që do të thonte që praktika ishte kontrolluar dhe verifikuar prej saj dhe cdo gjë ishte në rregull, në të kundërt ajo e kthente pas duke vendosur shënimin “specialisti”.”- thuhet në dosje lidhur me qëndrimin e Kadrimit.

Nga hetimet përpos deklarimit të tij, akuza deklaron se Lirim Xhameta fillimisht ka kryer veprime në bashkëpunim me persona të tjerë me qëllimin e vetëm, përfitimin e sipërfaqes 75,000 m2 e cila ishte në pronësi të shtetit shqiptar dhe duke e zhveshur këtë të fundit nga tagri i pasurisë me veprime antiligjore duke krijuar e pasqyruar rrethana të rreme në dokumentacionin e paraqitur pranë ASHK Durrës. Për këto veprime, ai ka përfituar vlera në para, dyshohet në shuma më të mëdha se vlera 200,000 lekë që ai deklaron si përfitim.

Shtetasi Gjovalin Ndoci, menjëherë pasi bëhet pronar de fakto i një pasuri prej 75,000 m2 brenda vetëm 20 ditëve i shet tërësisht ato duke përfituar një shumë prej 17,000,000 lekë. Vetë fakti që ky shtetas më vonë, të paktën për njërën nga këto pasuri ka kryer veprime blerje e shitje tregon se është ai vetë në bashkëpunim me persona të tjerë të fshehur nga vetë ai, autorë në tjetërsimin e pronave për të cilat ai jo vetëm nuk kishte asnjë tagër të qartë dhe ligjor, por veprimi i tij ka qenë për të fshehja dhe mbulimi i origjinës së kësaj pasurie, e cila dukshëm është rezultat vetëm i veprimtarisë kriminale.

Shtetasi Dashnor Taulla, në bashkëpunim me shtetasit Krenar Karati dhe Ardit Kërtusha kanë kryer veprime antiligjore me qëllimin e vetëm, përfitimin e sipërfaqes 76,000 m2 e cila ishte në pronësi të shtetit shqiptar dhe duke e zhveshur këtë të fundit nga tagri i pasurisë me veprime aktive duke krijuar e pasqyruar rrethana të rreme në dokumentacionin e paraqitur pranë ASHK Durrës. Për këto veprime, ai ka përfituar vlera në para, të paktën sipas deklarimit të shtetasit Gjon B. Në të njëjtën linjë është dhe fakti se e gjithë sipërfaqa prej 76,000 m2 është tjetërsuar në vetëm 1 ditë.

Punonjësit e ASHK Durrës, shtetasit Leonard Kadrimi si zv/drejtor dhe juristët Aida Kila dhe Mikel Zaho me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë sjellë si pasojë fillimisht krijimin e lehtësirave e më pas tjetërsimin e plotë të këtyre pasurive në një sipërfaqe prej 151,000 m2. Konkretisht shtetasja Aida Kila duke kryer veprime si juriste në ASHK Durrës për “pasurinë” e shtetasit Lirim Xhameta, të paktën i ka hapur rrugë së pari konfirmimit të rregjistrimit me fallsifikim të kësaj prone dhe së dyti krijimit të kushteve për tjetërsimin e saj sikurse dhe ndodhi vetëm pas pak ditësh nga veprimet e saj. Ndërsa shtetasit Mikel Zaho dhe zv/drejtuesi Leonard Kadrimi dukshëm me veprimet e tyre kanë lejuar tjetërsimin e mëtejshëm të pronës. Rezulton se ata nuk kanë respektuar hallkat e përcaktuara administrative, duke përjashtuar të paktën përgjegjësen e zonës dhe drejtuesin e ASHK nga kontrolli i praktikave.

©zërionline

*Ripublikimi i materialeve tona lejohet vetëm nëse bëhet citimi i autorit, burimit origjinal.

spot_img

Artikuj të lidhur

Arrestohet në Francë Ermal Beqiraj i dosjes AKSHI

Autoritetet franceze kanë arrestuar Ermal Beqiraj i shpallur në kërkim nga SPAK, për aferat me AKSHI, konfirmon policia...

“Vrasësi i heshtur”! Në Shqipëri 3500 persona marrin mjekim për Hepatit B, vaksina e eliminoi te fëmijët

Në Shqipëri, 3500 persona marrin mjekim për hepatitin B, i shkaktuar nga një virus që dëmton mëlçinë. Me...

Aksident në Korçë, makina përplas nënën me fëmijën në karrocë teksa kalonte rrugën

Një aksident është regjistruar mesditën e kësaj të marte në lagjen nr. 10 të qytetit të Korçës, në...

Skemë mashtrimi për t’iu vjedhur llogaritë në WhatsApp, Policia apel qytetarëve: Kujdes, mos klikoni linke të dyshimta

Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar ndaj tentativave për marrjen e aksesit në...