Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD–ASHM) ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së Partisë Socialiste për shtyrjen e orarit të votimit në disa qendra në qytetin e Vlorës, për shkak të zhvillimit të aktivitetit sportiv “Giro d’Italia”.
Në një komunikim zyrtar drejtuar kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, PD-ASHM e konsideron këtë kërkesë të papranueshme dhe thotë se është në kundërshtim me standardet demokratike. Sipas kësaj partie, “Giro d’Italia” është një aktivitet me karakter të qartë propagandistik, i organizuar nga qeveria në ditët më kritike të fushatës, përfshirë ditën e heshtjes dhe ditën e votimit.
“Është abuzim i papranueshëm me procesin zgjedhor të kërkosh shtyrjen e votimeve për t’iu përshtatur axhendës së një aktiviteti që ka kushtuar mbi 7 milionë euro nga fondet publike”, thuhet në reagim.
PD–ASHM vë në dukje se ndalimi i lëvizjes në Tiranë për shkak të këtij aktiviteti ka penguar opozitën të zhvillojë fushatë dhe i është mohuar e drejta për të komunikuar me qytetarët në ditët vendimtare. “Ky precedent shkel parimet themelore të një procesi të lirë dhe të ndershëm zgjedhor”, thekson Franci Nuri, përfaqësues i PD-ASHM.
Sipas deklaratës, çdo përpjekje për të përshtatur orarin e votimeve me atë të propagandës qeveritare është e rrezikshme dhe cenon integritetin e zgjedhjeve. “Nëse aktiviteti sportiv bie ndesh me rregullsinë e zgjedhjeve, atëherë përgjegjësia bie mbi organizatorët dhe jo mbi qytetarët apo institucionet zgjedhore”, shtohet më tej në deklaratë.
PD-ASHM i bën thirrje KQZ-së që të mos e marrë në konsideratë këtë kërkesë, duke e cilësuar si një ndërhyrje të papranueshme në barazinë e garës dhe një minim serioz të besueshmërisë së procesit jo vetëm në qytetin e Vlorës, por në të gjithë qarkun.
©️zërionline


