Një alarm për bombë solli mbrëmjen e së martës bllokimin e menjëhershëm të një pjese të konsiderueshme të qytetit të Durrësit, pasi një pako me lëndë të dyshuar shpërthyese u gjet pranë “Velierës”. Perimetri i sigurisë, i vendosur nga autoritetet, mbeti aktiv deri në mëngjesin e sotëm.
Zona e rrezikut përfshiu rrugën “Egnatia”, sheshin përgjatë “Velierës” dhe bulevardin “Epidamn”. Forcat e policisë dhe grupi hetimor qëndruan në terren gjatë gjithë natës, duke vijuar kontrollin dhe mbledhjen e provave në vendin e ngjarjes.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë së Durrësit, natën e kaluar, rreth orës 22:30, në lagjen nr. 1, është konstatuar një pako me lëndë të dyshuar plasëse në vendin e quajtur “Veliera”. Pakoja ishte e lidhur me një celular dhe e mbështjellë me natriban. Pas njoftimit, njësia antieksploziv e RENEA-s ndërhyri me shpejtësi dhe realizoi çaktivizimin e kontrolluar të eksplozivit.
Vetëm pasi hetuesit përfunduan punën në terren dhe u siguruan për mungesën e rrezikut, u hoqën shiritat e sigurisë dhe u lejua rifillimi i qarkullimit të automjeteve në zonë, i cili kishte qenë i pezulluar për disa orë.

Policia bën me dije se grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të dyshuar. Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë Durrës për veprime të mëtejshme.


