Ura dhe Goditja e grupit kriminal me bazë në Durrës. Roli i Dumanëve

Date:

Share post:

Një hetim i përbashkët mes autoriteteve italiane dhe Prokurorisë së Posaçme në Shqipëri goditi një nga grupet më të fuqishme kriminale në vend. Mes personave të arrestuar janë edhe dy punonjës policie: njëri efektiv kufiri, tjetri shef aksioni.

Operacioni antidrogë i quajtur “Ura”, i zhvilluar në Shqipëri dhe Itali, çoi në zbërthimin e një rrjeti të fuqishëm kriminal, i përfshirë në trafik të lëndëve narkotike dhe pastrim parash.

Nuredin Dumani është cilësuar si “çelësi” i këtij operacioni të jashtëzakonshëm, realizuar nga SPAK në bashkëpunim me antimafian italiane. I penduari i drejtësisë ka ndihmuar autoritetet shqiptare dhe italiane në zbardhjen e një prej rrjeteve më të mëdha të trafikut të drogës, me qendër në Durrës.

Në dëshminë e dhënë përpara Prokurorëve të Antimafias italiane dhe autoriteteve shqiptare, Dumani ka identifikuar Elvis Docin, i njohur si “Visi i Pojës”, si një nga figurat kyçe të trafikut të heroinës dhe më pas të kokainës, në Shqipëri dhe më gjerë. Ai e përshkruan Doçin si “negociator shumë të aftë”, i lidhur ngushtë me klanin Troplini, konkretisht me Xhevdet Troplinin, një emër me peshë në Durrës.

“Nuk ka asnjë tjetër që njihet si Visi i Pojës”, – ka deklaruar Dumani në një nga seancat e marrjes në pyetje. Sipas tij, grupi Troplini ka qenë ndër më të fuqishmit në Durrës gjatë viteve 2010–2013, duke dominuar tregun e heroinës, ndërsa nga viti 2013 e në vijim, struktura është orientuar drejt trafikut të kokainës në sasi që arrijnë deri në tonelata.

Në konferencën e përbashkët, ku morën pjesë kreu i SPAK Altin Dumani, kryeprokurori i Barit Roberto Rossi, Drejtori i Antimafies Michele Carbone dhe përfaqësuesi i Eurojust për Italinë, Gianluca Forlani, u njoftua se janë lëshuar 52 masa sigurie dhe një urdhër ndalimi. Deri më tani janë ekzekutuar 42 prej tyre. Në Shqipëri janë dhënë 29 masa sigurie, mes të cilave edhe ndaj dy efektivëve të policisë, një avokati në Durrës dhe një biznesmeni.

Altin Dumani theksoi se bashkëpunimi me institucionet italiane ka mundësuar goditjen e një prej grupeve më të rrezikshme në vend.

“Është një nga grupet më të rrezikshme, për shkak të pushtetit financiar dhe kapacitetit për të trafikuar sasi të mëdha droge dhe për t’i shpërndarë ato në Evropë. Qendra e grupit ka qenë qyteti i Durrësit. Nuk japim emra të përveçëm për shkak të politikës së mbrojtjes së hetimit. Ky operacion dëshmon se çfarë mund të arrihet kur institucionet e drejtësisë dhe strukturat e zbatimit të ligjit bashkëpunojnë me përkushtim. Një falënderim i veçantë për Eurojust dhe Europol për mbështetjen gjatë hetimeve në bashkëpunim me Prokurorinë e Barit”, deklaroi ai.
Gjithsesi emrat kanë dalë nga dosja.
I pyetur lidhur me arrestimin e dy punonjësve të Policisë së Shtetit, Dumani theksoi se korrupsioni mbetet një “plagë” që prek çdo institucion, por bashkëpunimi mes SPAK dhe Policisë së Shtetit është i ngushtë.

“Janë mbi 80 punonjës policie të proceduar ndër vite nga SPAK. Pavarësisht kësaj, Policia e Shtetit ka shumicën absolute të efektivëve të përkushtuar. Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin. Çdo individ që thyen ligjin do të përballet me drejtësinë, përfshirë ata që ndotin mjedisin institucional”, u shpreh ai.

Mafia shqiptare, forcë ndërkombëtare

Kryeprokurori i Barit, Roberto Rossi, e cilësoi mafian shqiptare si një “forcë të madhe ndërkombëtare”, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional.

“Për fat të keq, mafia shqiptare është një forcë shumë e madhe ndërkombëtare. Por ne besojmë se populli shqiptar, përmes Prokurorisë dhe Gjykatave të tij, do të jetë në gjendje ta luftojë këtë tumor”, deklaroi Rossi.

Rrjeti me lidhje ndërkontinentale

Sipas Drejtorit të Antimafies italiane, Michele Carbone, anëtarët e këtij rrjeti kishin lidhje jo vetëm me Evropën, por edhe me Amerikën e Jugut.

“Ka kontakte përtej Italisë dhe Shqipërisë, në Europën e Veriut, Amerikën e Jugut dhe më gjerë. Ky rezultat u arrit falë punës së përbashkët të policive dhe autoriteteve tona”, tha ai.

30 episode trafiku, 5 milionë euro

Prokurori i posaçëm Vladimir Mara bëri të ditur se janë evidentuar 30 episode të transferimit të parave nga Italia dhe vendet e BE-së drejt Shqipërisë, me një vlerë prej rreth 5 milionë euro. Krahas trafikut të drogës, janë dokumentuar edhe vepra korruptive në Shqipëri.

Adi Çoba, një nga drejtuesit e grupit, ishte përgjegjës për transportin e kokainës drejt Italisë. Nga Shqipëria, ai koordinonte aktivitetin e anëtarëve shqiptarë dhe italianë të grupit. Në përgjimet e “SkyECC”, Çoba njihej me nofkat “i shëndoshi” dhe “bisha”. Ai dërgonte korrierë në Itali me sasi të mëdha heroine dhe kokaine të furnizuara nga Shqipëria dhe Holanda.

Në dosjen hetimore bien në sy pseudonimet që anëtarët përdornin për të shmangur identifikimin: përveç “Visi i Pojës” dhe “Nuro”, përmenden “Gjyshja” (Francesca Caputti), “Seriali” ose “Gelsi” (Rigels Presi) dhe “Kili” (Ekil Nerjaku).

Sekuestrimet

Të mërkurën u ekzekutuan vendimet për sekuestrimin e disa pasurive që dyshohet se janë përdorur për pastrim parash. Bëhet fjalë për tre restorante në Durrës (Port Side, Marquesses dhe Felix Vinum), një bar-kafe, gjashtë shoqëri tregtare dhe një televizion në Vlorë. Në total janë sekuestruar drogë me vlerë 4.5 milionë euro dhe rreth 7 milionë euro në pasuri dhe para cash, sekuestrime të kryera përgjatë pesë viteve të fundit.

349 efektivë shqiptarë të përfshirë në aksion

Në operacionin ndërkombëtar Shqipëri-Itali morën pjesë 349 efektivë të Policisë së Shtetit. Kjo u bë e ditur nga kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në konferencën e përbashkët me drejtuesit e lartë të SPAK dhe drejtësisë italiane.

Gjithashtu, në operacion janë përfshirë 40 hetues të BKH-së, të cilët ekzekutuan masat e sigurisë në disa qytete të vendit.

Paratë e drogës transportoheshin me autobuzat e linjës

Pakot me para, të përfituara nga aktiviteti kriminal, transportoheshin nga Bari i Italisë drejt Shqipërisë me autobusë të linjave të rregullta.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Tiranë/Tezja dhe kushëriri abuzojnë seksualisht me 12-vjeçaren

Një 29-vjecar dhe një grua 32-vjecare, përfunduan në pranga dy ditë më parë pasi akuzohen për marrëdhënie seksuale...

Fier/Arrestohet ish-kreu i Kadastrës dhe një biznesmen ndërtimi, dyshohet se falsifikuan dokumente pronësie

Ish-kreu i Kadastrës Fier, Ertis Shehu dhe biznesmeni Kastriot Hasko janë arrestuar nga Policia e Shtetit, me urdhër të Prokurorisë së Fierit. Burime...

Haga dha verdiktin, Kosova në protestë: Çfarë pritet tani për Thaçin dhe tre ish-krerët e UÇK-së?

25 vite për Hashim Thaçin, 25 për Jakup Krasniqin, 18 për Kadri Veselin dhe 13 për Rexhep Selimin....

Plagosja me armë në Durrës, reagon policia: 61-vjeçari qëlloi 52-vjeçarin, vijon kërkimi

Policia ka reaguar për plagosjen me armë zjarri të regjistruar pasditen e sotme në lagjen nr. 1 të...