Komedia e nobelistit Dario Fo “Martesë me kushte” u shfaq në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Me regji të Altin Bashës dhe interpretuar nga aktorët Olta Daku dhe Gazmend Gjoka, komedia sjell plot humor situatat problematike që vijnë nga vendimi për një çift të hapur ndaj përvojave jashtë martesore. Kjo komedi e kthen aktorin protagonist të saj sërish në Durrës, pas një mungese disavjeçare.

“Kam disa vjet që s’kam qenë në teatrin e Durrësit, po nga kujtimet e vjetra jam shumë i kënaqur me spektatorin dhe besoj do të pritet shumë mirë. Kjo për disa arsye. Vepra është një vepër e jashtëzakonshme e nobelistit Dario Fo, me regji shumë të mirë të Altin Bashës dhe një partnere e jashtëzakonshme si Olta Daku dhe mikpritje nga teatri “A. Moisiu” dhe them se do të pritet mirë nga spektatori.”
E vënë në shumë skena të botës, edhe në vendin tonë, nga trupa të ndryshme, komedia u mirëprit nga spektatorët për temën universale që trajton. Ata duartrokitën gjatë interpretimin, regjinë, skenografinë dhe kostumografinë e shfaqjes, por shprehin qëndrim kritik ndaj martesave të hapura, ku bashkëshortët e kërkojnë pasionin jashtë martesës duke u përballur dhe me pasojat e veprimeve të tyre.
“Spektakël. Të jetë Olta dhe të mos ketë shfaqje?!”
“U kënaqëm shumë. Bravo! Ama, nuk jam dakord me çiftet e hapura. Pupupuu!!!”
“Shumë e bukur shfaqja. – Jeni dakord me çiftin e hapur? – Pak herët për mentalitetin shqiptar, po shumë bukur.”
Po cili është qëndrimi i aktorit Gazmend Gjoka ndaj çifteve të hapura? Në rol, ai interpreton bashkëshortin që ia imponon gruas një marrëdhënie të hapur, por kjo vlen vetëm për të. Jo për bashkëshorten. E zhgënjyer nga tradhtitë dhe në prag të vetëvrasjes, gruaja, e interpretuar nga Olta Daku, vendos të reagojë ndaj martesës së hapur që i propozon bashkëshorti dhe vihet në kërkim të dashurisë së munguar brenda çiftit, por kjo nuk do të pranohet lehtë prej tij.
Kur marrëdhënia bëhet “e shqyer”, e hapur për të dy, ashtu si e shoqja dhe ai shqetësohet dhe nuk e përtyp dot faktin që bashkëshortja ka gjetur një partner të ri, më të ri dhe më të mirë se ai.
“Unë si tip beqari i shoh me sy kritik. Po të isha pjesë e komunitetit të të martuarve do të kisha siklet nga e gjithë kjo.”, shprehet Gjoka.
Pak muaj më parë, e njëjta vepër e Dario Fosë dhe bashkëshortes së tij Franka Rame, erdhi e interpretuar në Durrës nga çifti i aktorëve Suela dhe Romir Zalla me regji të Sulejman Rushitit.
©️zërionline
*Ripublikimi i materialeve tona lejohet vetëm nëse bëhet citimi i autorit, burimit origjinal.


