Me një peisazh mahnitës dhe brigje shkëmbore, në periferi të qytetit të Durrësit shtrihet plazhi i bukur i Kallmit. Një plazh mes detit dhe kodrës së gjelbëruar, ku lodhja që të shkakton rruga pa rrugë dhe pluhuri i saj harrohen shpejt për të shijuar gjithçka që natyra ende e paprekur e kësaj pjese të bregdetit ofron. Vija e thyer bregdetare krijon gjire të vogla që ofrojnë qetësinë dhe intimitetin aq shumë të dëshiruar për këdo që është në kërkim të tyre.
“Ka shumë shkëmbinj dhe më pëlqen shumë kur ka shkëmbinj dhe është shumë i thellë,” thotë një vizitor.
“Këtu është pastërti dhe qetësi. Ushqimi është perfekt. Ky gjiri është i qetë dhe i freskët, dhe ka thellësi. Ndryshe nga pjesët e tjera të Durrësit,” shton një tjetër.
Edhe turistë të huaj, të të gjitha grupmoshave, e kanë zbuluar magjinë e Kallmit prej disa vitesh, por dy vitet e fundit janë shtuar ndjeshëm. I konsideruar si një oaz qetësie, gjithnjë e më tepër Kallmi po kthehet në zonë të frekuentuar për turizmin e aventurës. Të huaj e vendas joshen nga rruga e vështirë dhe shpatet kodrinore për t’i përshkuar ato në këmbë, a me motorat që rrisin adrenalinën dhe mundësojnë kënaqësi vetëm 3-4 km larg pjesës urbane të Durrësit.
Një turiste italiane shprehet: “Hera e parë që vijmë në këtë plazh. Është shumë i bukur dhe shumë natyral. Nuk është çimentifikuar, ndaj është fantastik. Ndoshta do pak më shumë kujdes për atë çfarë vjen nga deti, si plastika, por gjithçka tjetër dhe deti është shumë i bukur.”
Një grup të rinjsh nga Danimarka e zbuluan Shqipërinë si destinacion pushimesh duke kërkuar në internet. Kur mbërritën në Durrës, nisën të eksplorojnë përtej qytetit.
“Ishim duke ecur për të gjetur rrugën për tek kodrat dhe e zbuluam gabimisht.”
“Ne donim të eksploronim dhe është shumë bukur. Ecem përgjatë bregdetit dhe ja ku jemi. Në qoftë se do ta gjenim më përpara, do të rrinim më gjatë.”
“Shumë këndshëm dhe më relaksuese.”
Jo vetëm Kallmi dhe bukuria e tij, por edhe pushimet e para në Shqipëri kanë qenë mbresëlënëse për këta turistë, të cilët premtojnë se do të kthehen sërish për të shijuar natyrën, jetën e natës dhe, mbi të gjitha, mikpritjen e vendasve.
– Ka qenë vërtet argëtuese të jesh këtu. Jeta e natës, ushqimi i mirë dhe ecjet.
– Kemi bërë xhiro një javë nëpër Shqipëri dhe sot ndaluam këtu për të bërë pak plazh. Njerëzit më kanë pëlqyer shumë.
– Pse, si jemi ne shqiptarët?
– Më të sinqertë, më të thjeshtë. Nga ana njerëzore kjo s’ka çmim.
Realizimi i projektit “Vija e kaltër”, i prezantuar 11 vite më parë nga ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako kur kërkonte mandatin e dytë, ka mbetur ende në letër. Ai projekt synonte transformimin e të gjithë vijës bregdetare të Durrësit me Kallmin si segment fundor, duke e kthyer zonën në një nga destinacionet më tërheqëse për turistët e apasionuar pas sporteve të aventurës. Ajo që ende s’është bërë përmes zbatimit të projektit, është bërë realitet nga vetë turistët dhe të apasionuarit pas aventurës, që cdo ditë e më shumë eksplorojnë shtigjet e shumta natyrore që kjo zonë ofron.
©️zërionline
*Ripublikimi i materialeve tona lejohet vetëm nëse bëhet citimi i autorit, burimit origjinal.


