Restaurimi i Hamamit të Durrësit nga BE, Hap i rëndësishëm për ruajtjen e trashëgimisë kulturore pas tërmetit të 2019-ës

Date:

Share post:


Hamami Mesjetar i Durrësit, një monument i trashëgimisë kulturore i kategorisë I, i cili u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019, ka përfunduar punimet restauruese, falë Programit EU4Culture, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ky projekt është pjesë e përpjekjeve për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore të Shqipërisë.

Ceremonia e përfundimit të restaurimit të Hamamit u mbajt sot, më 4 tetor, në Durrës, ku morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve vendase dhe ndërkombëtare, që theksuan rëndësinë e këtij projekti për të ruajtur vlerat historiko-kulturore të qytetit dhe për ta bërë këtë objekt të arritshëm për komunitetin dhe turistët. Ambasadori i BE-së në vendin tonë, si dhe përfaqësues të lartë nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Bashkia e Durrësit ishin gjithashtu të pranishëm në këtë ceremoni.

Ambasador i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato u shpreh pas ceremonisë:

“Hamami Mesjetar është një projekt që e kam pasur për zemër për shkak të vlerave simbolike që ka. Është dëshmi e trashëgimisë së larmishme fetare, social-kulturore që ka Shqipëria. Është një nga 15 sitet që kemi restauruar në bashkëpunim me UNOPS dhe Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Janë dhe 8 site të tjera ku vijon puna. Kjo mbështetje është solidaritet me Shqipërinë pas tërmetit përmes dy programeve, BE për shkollat dhe BE për kulturën. Ky është programi më i madh i BE-së në Ballkanin Perëndimor.”

Ndërkaq Elio Jani, Nënkryetar i Bashkisë Durrës vlerësoi kontributin e çmuar të BE-së në rimëkëmbjen e arsimit dhe kulturës pas tërmetit:

“Projekti EU4Culture ka ndihmuar shumë pas tërmetit shkatërrimtar në rimëkëmbjen e Durrësit. Vendndodhja në zemër të Durrësit është vlerë e shtuar si për qytetarët ashtu dhe për turistët. Faleminderit për të gjithë mbështetjen që ka dhënë BE në Durrës.”

Në kuadër të programit, ndërhyrjet përfshinë restaurimin e sipërfaqeve të brendshme dhe të jashtme të Hamamit, fasadave, si dhe instalimin e teknologjisë për interpretim digjital, që do të mundësojë një përvojë më të pasur për vizitorët. Në kuadër të Bienales Ndërkombëtare të Artit Figurativ që pritet të nisë këtë fundjavë në Durrës, Hamami do të jetë i hapur për publikun, duke shtuar një vlerë të re turistike dhe kulturore në qytetin bregdetar.

Hamami Mesjetar

Arkitektura e Hamamit është unike. Në qendër të planimetrisë ndodhet mjedisi i zhveshjes, i mbuluar nga një kube sferike me 12 dritare të vogla katrore, të vendosura në mënyrë koncentrike në gjysmësferë, ndërsa në kulmin e saj ka një gjysmësferë më të vogël me tre dritare të rrumbullakëta që plotësojnë ndriçimin e dhomës. Në të djathtë të këtij mjedisi gjenden dy dhoma të vogla për larje, ku dyshemetë ngroheshin me avull nëpërmjet tubacioneve të lidhura me furrën që ndodhet në pjesën e pasme.

Historia e banjave mesjetare në Shqipëri dokumentohet që në shekullin e 17-të nga kronisti turk Evlija Çelebiu, i cili përmend banjat në qytete si Elbasani, Berati dhe Gjirokastra. Hamami i Durrësit, i ndërtuar më vonë, është një tjetër pasuri e vyer e trashëgimisë kulturore të vendit.

Ky projekt jo vetëm që përfaqëson një arritje në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, por edhe një mundësi për të zhvilluar më tej turizmin kulturor në Durrës, duke u bërë një pikë kyçe vizitash për banorët dhe turistët.

Vali Qyrfyçi

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Pas plagosjes së avokatit në Durrës, Dhoma e Avokatisë do të bojkotojë nesër gjykatën për dy orë

Pas plagosjes së avokatit Elton Shllaku, Dhoma Vendore e Avokatisë Durrës ka vendosur të bojkotojë për dy orë...

Falsifikim dokumentesh për ndryshimin e emrit, pezullohen dy zyrtarë në Tiranë, shpallet në kërkim dhe një 41-vjeçar

Dy persona janë pezulluar nga detyra, ndërsa një 41-vjeçar është shpallur në kërkim, në kuadër të një operacioni...

Kuvendi del me deklaratë për vendimin e Hagës: Akt i padrejtë, nuk mund të zhbëhet sakrifica e UÇK-së

Kuvendi i Shqipërisë ka dalë me një deklaratë ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj Hashim...

Ndryshojnë kriteret e shpërblimit për sportistët e Teutës, vendimi u miratua me konsensus në Këshillin Bashkiak

Këshilli Bashkiak i Durrësit ka miratuar me votat e këshilltarëve të shumicës dhe opozitës ndryshimet në vendimin për...