Historia e Fatimes: Tentoi të vetëdigjet për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike

Date:

Share post:

Me një pension familjar që nuk i kap 8000 lekët, e papunë, me një djalë të papunë që pret ende prej saj, jeta e Fatime Gashit mbahet në fije të perit. Një sfidë e përditshme për të mbijetuar. Ndaj vendosi ta këpusë atë fije të hollë që e mban në jetë, por ndërhynë shpejt dhe është ende në jetë, me gjymtyrë të djegura. 

Një akt i rëndë dhe tronditës ndodhi të martën para Bashkisë së Durrësit, ku 59-vjeçarja, e dëshpëruar nga gjendja e rënduar ekonomike, tentoi të vetëflijohet duke i vënë zjarrin vetes. Fatime Gashi, e cila jeton me të birin 29-vjeçar me një pension të vogël familjar, ndërmori aktin ekstrem si formë e fundit proteste përballë pamundësisë për të siguruar mbijetesën.

Ngjarja ndodhi në momentin kur Gashi hodhi benzinë mbi trupin e saj dhe tentoi të ndizte flakën. Në këtë çast, punonjës të policisë bashkiake dhe kalimtarë të rastit ndërhynë me shpejtësi për të shuar zjarrin, duke i shpëtuar jetën, por jo pa pasoja, pasi ajo pësoi djegie në këmbë dhe në pjesë të duarve. Pas dhënies së ndihmës së parë në urgjencën e spitalit të Durrësit, ajo u transportua drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.

Gjendja e rënduar ekonomike dhe një vakt i humbur

Fatime Gashi nga Fllaka nuk ka mundur të gjejë mbështetje të mjaftueshme për të përballuar vështirësitë ekonomike që e kanë ndjekur pas vdekjes së bashkëshortit. E vetmja e ardhur e familjes është pensioni i vogël që ka qenë i pamjaftueshëm për nevojat bazë, ndërkohë që mbyllja e Qendrës Ditore të të Moshuarve prej disa ditësh, për shkak të procedurës së tenderimit për ushqimin, e privoi dhe nga vakti i ngrohtë që aty ofrohej çdo ditë.

Megi Hasani, Drejtuese e Qendrës Ditore të të Moshuarve deklaron se   

Qendra është mbyllur për shkak të procesit të tenderimit të shërbimit të ushqimit prej një jave e gjysëm. 

“Më 1 tetor, Fatimja ka qenë në qendër për herë të fundit, pasi u mblodhëm edhe në kuadër të ditës botërore të të moshuarve.”

Mbyllja e kësaj qendre dyshohet se mund ta ketë thelluar ndjenjën e braktisjes për Gashin dhe shumë të moshuar të tjerë që e frekuentojnë atë për të marrë ndihmë dhe shërbime që përndryshe do të ishin të papërballueshme. Sipas punonjëseve të qendrës, Fatimja pak ose aspak i përmendtte fëmijët e saj. I biri kur rastiste të përgjigjej në telefonin e së ëmës nuk shfaqej bashkëpunues. “Me nxitim dhe i bezdisur i kalonte së ëmës telefonin.”

Në qendër thonë se e dinë që vajzën e ka të martuar dhe jetonte vetëm me të birin, por as për të s’fliste shumë, përveç faktit që nuk mund tê punonte. Ajo vetë ishte me tension dhe artrit. Nga Fllaka ku jetonin më parë ishin vendosur në një banesë me qira në plazh. Shpesh ankohej për kushtet ekonomike dhe ndihmohej nga punonjëset e qendrës dhe qytetarë të tjerë rastësorë.

Motivet e aktit ekstrem dhe hetimet e policisë

Akti ekstrem i Gashit ka tronditur fort opinionin publik dhe ka sjellë në vëmendje problematikat sociale dhe ekonomike me të cilat përballen shumë qytetarë të moshuar, apo dhe të sëmurë e jo aktivë për punë. Pamundësia për të siguruar një jetë të denjë, mbyllja e qendrës së të moshuarve dhe mungesa e ndihmës së mjaftueshme sociale janë disa nga faktorët që dyshohet se e çuan atë drejt këtij vendimi të dëshpëruar.

Drejtuesja e qendrës Megi Hasani u shpreh:

“Nuk kemi arritur të lidhemi me Fatimen pas incidentit, por po përpiqemi të sigurojmë ndihmën e duhur për të. Në vijim do të shqyrtojmë mundësitë për t’i ofruar ndihmë më të qëndrueshme.”

Ndërkaq, policia vendore ka njoftuar se ka nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike dhe për të parë nëse ka pasur faktorë të tjerë që mund të kenë ndikuar në vendimin e saj.

Kjo ngjarje e rëndë nxjerr në pah nevojën urgjente për rishikimin e politikave sociale dhe mbështetjen për qytetarët në nevojë, duke përfshirë ndihmën për personat e moshuar dhe ata që gjenden në pamundësi ekonomike.

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Dy të vdekur dhe pesë të plagosur në Rrugën e Kombit

Një bilanc tragjik me dy viktima dhe pesë të plagosur është regjistruar në Rrugën e Kombit, në segmentin...

24-vjeçari abuzon seksualisht me babain, ndalohet nga policia

Një ngjarje e rëndë e regjistruar në Kavajë rikthen në vëmendje jo vetëm dimensionin kriminal të rasteve të...

Prokuroria e Prishtinës kërkon burgim të përjetshëm për vrasjen e Liridona Ademajt, Murseli mohon

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar burgim të përjetshëm për Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën, të...

SPAK jep pretencën për Evis Berberin

SPAK ka kërkuar 10 vite burg për ish kreun e ARRSH-së Evis Berberi për akuzat e shpërdorimit ë...