Në vitin 2020, qeveria shqiptare dha me koncesion për një periudhë 10-vjeçare shërbimin e laboratorëve mjekësorë pranë spitaleve universitare, rajonale dhe lokale. Konsorciumi fitues përbëhej nga kompanitë “Labopharma” me seli në Tiranë, “Exalab” me seli në Francë dhe “AB Laboratory Solution” B.V., e regjistruar në Hagë të Holandës. Ky konsorcium operon përmes kompanisë koncesionare “Laboratory Networks”. Vlera totale e kontratës është rreth 13 miliardë lekë (afërsisht 130 milionë euro) për 10 vitet e operimit.
Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) kreu një auditim mbi këtë koncesion në tetor 2021 dhe arriti në përfundimin se Ministria e Shëndetësisë e kishte dhënë atë në kundërshtim me ligjin “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat”. Si rezultat, KLSH paditi në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) shtatë anëtarët e komisionit për dhënien e koncesionit dhe rekomandoi që Ministria e Shëndetësisë të marrë masa për rishikimin dhe zgjidhjen e kontratës.
SPAK regjistroi procedimin penal nr. 18 më 31 janar 2022, duke hetuar për veprat penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike, shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.
Pavarësisht hetimeve dhe raportit kritik të KLSH-së, kompania “Laboratory Networks” ka vazhduar aktivitetin e saj dhe ka publikuar bilancet financiare për vitin 2023, duke raportuar një fitim prej 151,038,412 lekësh (rreth 1.5 milionë euro).
Në përputhje me kontratën koncesionare, spitalet publike janë të detyruara të mbështesin kompaninë koncesionare. Për shembull, Spitali Rajonal i Beratit, sipas Vox News, ka hapur tender për blerjen e materialeve të konsumit laboratorik, për të mbështetur shërbimin e laboratorëve.

Ky koncesion ka ngjallur debate dhe kritika, duke përfshirë shqetësime për ndikimin e tij në buxhetin e shtetit dhe në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët të cilët shpesh detyrohen t’i drejtohen laboratorëve private për të siguruar në kohë shërbimin e kërkuar.
©️zërionline


