Për herë të parë, anija historike franceze me vela “Bel Espoir” (Shpresa e Bukur) u ndal në Shqipëri, duke sjellë në brigjet e Durrësit një mesazh të fortë për paqe dhe dialog ndërkulturor. E shndërruar në një “shkollë lundruese” për të rinj nga vendet e Mesdheut, kjo anije simbolizon frymën bashkëpunuese të nismës MED25 – Takimet e Mesdheut 2025, që këtë vit përfshiu edhe Shqipërinë në itinerarin e saj ndërkombëtar.
Nga data 4 deri më 6 gusht, 25 të rinj nga vende të ndryshme si Libani, Spanja, Egjipti, Bosnja dhe Shqipëria u bënë pjesë e një sërë aktivitetesh në Durrës dhe Tiranë, me synimin për të ndarë histori, përvoja dhe shpresa për një të ardhme më të drejtë dhe më të bashkuar për rajonin e trazuar të Mesdheut.

Një anije, shumë rrëfime
Për pjesëmarrësit, ky nuk është thjesht një udhëtim. Dana, e re nga Libani, thotë se është frymëzuar nga ideja për të ndërtuar ura midis të rinjve:
“U frymëzova nga ideja për të qenë pjesë e një projekti që lidh të rinjtë përmes vlerave të përbashkëta, jo thjesht prej gjeografisë. Në një botë që na ndan me shpejtësi, kemi nevojë për lidhje njerëzore. Jemi pak të pasigurt, por nuk kemi frikë nga paqja dhe ky udhëtim është pikërisht për paqen.”
Francesco nga Spanja vlerëson diversitetin si një pasuri të Mesdheut:
“Një nga gjërat më të rëndësishme që kemi në Mesdhe është diversiteti dhe duhet ta përqafojmë atë. Shpesh të rinjtë nuk janë në qendër të dialogut. Këtu ne kemi një zë. Më pëlqen udhëheqja e të rinjve, sepse ata nuk janë vetëm e ardhmja, por edhe e tashmja.”
Ndërsa Amina nga Bosnja-Hercegovina thekson rëndësinë e një përkushtimi të vazhdueshëm ndaj paqes:
“Nuk është kurrë e mjaftueshme të flasësh për paqen. Duhet të flasim pa pushim për të, sepse lufta nuk duhet të jetë fare një opsion.”
Shqipëria, një ndalesë domethënëse
I pranishëm në Durrës ishte edhe Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkëv i Durrësit dhe Tiranës, si dhe At Aleksis Leproux, drejtori i përgjithshëm i Takimeve të Mesdheut. Ky i fundit vlerësoi Shqipërinë si një shembull të gjallë të bashkëjetesës ndërfetare:
“Patëm një takim të bukur me përfaqësues të komuniteteve fetare në Shqipëri, bektashinj, ortodoksë, myslimanë dhe katolikë, dhe kuptuam se Shqipëria është një shembull i bashkëjetesës dhe paqes në zemër të Mesdheut. Fatkeqësisht, nuk arritëm të ndalojmë në Liban për shkak të luftës, por kjo anije, si një arkë e vogël shprese, është një shenjë e paqes në një botë të trazuar.”
Një mision 8-mujor për të rinjtë
MED25 është një nismë e Selisë së Shenjtë, e mbështetur nga Dioqeza e Marsejës, që gjatë vitit 2025 do të përfshijë mbi 200 të rinj nga 20 vende të Mesdheut, në një itinerar 8-mujor me ndalesa simbolike në disa porte të rajonit. Qëllimi është ndërtimi i një hapësire ku të rinjtë të ndihen të dëgjuar, të bashkëpunojnë përtej kufijve dhe të ndërtojnë një të ardhme paqësore për rajonin e tyre.
Pas Shqipërisë, “Bel Espoir” do të vazhdojë udhëtimin drejt Triestes, ku do të mbahet Festivali i Rinisë Mesdhetare. Nga porti i Durrësit, niset kështu jo vetëm një segment i një udhëtimi detar, por një ftesë për të kthyer Mesdheun në një hapësirë të vërtetë takimi, dëgjimi dhe shprese.
©️zërionline


