Udhëtimi frymëzues i Ritjana Çevelit, nga rrënjët shqiptare drejt lidershipit global në Dubai

Date:

Share post:

Revista prestigjoze dixhitale “UAE Stories” në Dubai i ka dedikuar një shkrim historisë frymëzuese të Ritjana Çevelit, vajzës nga Durrësi që ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare, duke u bërë një ndër figurat më të njohura shqiptare të biznesit dhe lidershipit në Dubai. Bijë e aktivistes së njohur për të drejtat e njeriut e veçanërisht të grave, Bajana Çeveli, dhe e avokatit Petrit Çeveli, Ritjana ka trashëguar nga prindërit forcën për të luftuar për të drejtën, pasionin për dijen dhe vendosmërinë për të kapërcyer kufijtë. Nga fëmijëria e hershme në një Shqipëri të varfër e të mbyllur, deri te ndërtimi i një kompanie me ndikim global, rrugëtimi i saj përfaqëson historinë e një gruaje të fortë që ka kthyer ëndrrat në realitet dhe ka provuar se rrënjët shqiptare mund të çojnë drejt majave të suksesit ndërkombëtar.

Nga Prabhat Dewangan

E rritur në vitet ’80 në Shqipërinë komuniste, një vend ku ambicia rrallëherë inkurajohej dhe varfëria ishte pjesë e përditshmërisë, Ritjana Ceveli e kuptoi që herët se vendosmëria do të ishte arma e saj më e fortë. Që fëmijë, ajo ëndërronte përtej kufijve të realitetit të saj. Në moshën 14-vjeçare, imagjinonte veten si sipërmarrëse, duke udhëtuar me makinë e me shofer, jo si simbol luksi, por si premtim për pavarësi. Ky vizion e udhëhoqi në çdo hap të jetës, në çdo natë studimi, çdo sakrificë dhe çdo hap të guximshëm drejt së ardhmes.

Fëmijëria dhe fara e ambicies

Në një botë që shpesh përpiqej ta kufizonte, Ritjana nuk pranoi kurrë të ndalej. Fëmijëria e saj nuk u mbush me privilegje, por me këmbëngulje. 

“Çdo pengesë ishte karburant”, kujton ajo. Në moshën 16-vjeçare, ajo la shtëpinë me një bursë të plotë për të studiuar jashtë vendit, një hap që i ndryshoi jetën. Studimet në Norvegji dhe më pas në London School of Economics e ekspozuan ndaj kulturave e ideve të reja, duke i zgjeruar horizontet mbi mundësitë dhe suksesin.

Këto përvoja të hershme formësuan jo vetëm intelektin e saj, por edhe qëndrueshmërinë. Ato i mësuan se suksesi nuk dhurohet. Ai ndërtohet, shpesh në heshtje, me vendime të guximshme njëra pas tjetrës.

Hyrja në botën e financës

Ritjana nisi karrierën e saj profesionale në fushën e financës dhe investimeve, duke punuar në tregje ndërkombëtare nga Londra në Evropën Lindore, Afrikë dhe Lindjen e Mesme. Ajo menaxhoi portofolë miliardë dollarësh dhe u përball me sisteme të ndërlikuara financiare që kërkonin saktësi, strategji dhe vendosmëri.

Por ngjitja nuk ishte e lehtë. Si një grua e re në një industri që dikur dominohej nga burrat, ajo duhej të punonte dyfish për të dëshmuar vlerën e saj. Nga një vend i vogël si Shqipëria deri në sallat e bordit në Dubai, Ritjana provoi se guximi mund të ndryshojë drejtimin e jetës. Çdo sfidë u bë një mësim në përshtatje, besim dhe lidership.

Zbulimi i një qëllimi të ri

Me kalimin e kohës, ajo kuptoi diçka thelbësore, se në zemrën e çdo biznesi të suksesshëm nuk qëndron vetëm kapitali, por njerëzit. Ajo pa se si talenti dhe mundësia, kur lidhen, mund të transformojnë organizata. Kjo e shtyu të themelonte kompaninë ERC International, një firmë rekrutimi dhe konsulence me seli në Dubai.

Për të, rekrutimi nuk ishte thjesht një industri, por një mision. Ajo dëshironte të krijonte një kompani që vlerëson meritën, fuqizon gratë dhe hap dyer për njerëzit që, si ajo dikur, kishin nevojë vetëm për një shans.

Nën drejtimin e saj, ERC International u rrit nga një start-up i vogël në një operacion global që shtrihet në disa vende e tregje. Kompania u bë e njohur për përkushtimin ndaj larmisë në lidership dhe fuqizimit të grave, si dhe për nxitjen e talenteve vendase në vendet e Gjirit për t’u afirmuar në industri konkurruese.

Ndërtimi i një jete nga e para

Arritja më e madhe e Ritjanës nuk është një titull apo çmim, por jeta që ajo ndërtoi nga hiçi. Të largoheshe nga shtëpia në moshën 16-vjeçare, të studioje jashtë e më pas të krijoje një biznes të suksesshëm ndërkombëtar në Dubai, kjo është fytyra e vërtetë e qëndrueshmërisë.

Historia e saj është një dëshmi e guximit, arsimit dhe qëllimit. Përmes ERC International, ajo nuk krijoi vetëm një markë të respektuar, por një platformë që ndryshon jetë. Për të, çdo punësim i suksesshëm, çdo histori e një kandidati që gjen zërin dhe vendin e tij në botë, ka një kuptim personal.

Kapitulli i ri: Qëllim dhe inovacion

Sot, Ritjana po fokusohet në dy nisma të reja që pasqyrojnë vlerat e saj personale dhe profesionale.

E para është një start-up teknologjik që synon të shpërblejë meritën, një platformë që nderon punën e ndershme, shërbimin cilësor dhe përgjegjësinë. Në një botë ku shpesh privilegji mbizotëron mbi përpjekjen, ajo kërkon të riformulojë konceptin e suksesit përmes transparencës dhe vlerësimit real.

Nisma e dytë buron nga dashuria e saj për kafshët, një projekt për përmirësimin e standardeve të kujdesit veterinar dhe për kafshët shtëpiake në rajon, me synimin për të sjellë investime, strukturë dhe inovacion në këtë fushë.

Të dy projektet mishërojnë besimin e saj se biznesi mund të jetë forcë e së mirës, duke bashkuar fitimin me dhembshurinë, rritjen me mirësinë.

Filozofia e lidershipit

Nëse do të përmblidhej në një frazë, filozofia e saj është kjo: Suksesi nuk është betejë gjinore, por betejë privilegji. Pas një jete të kaluar duke luftuar për mundësi, ajo beson se ndarja e vërtetë nuk është mes burrave e grave, por mes atyre që kanë mundësi dhe atyre që nuk i marrin kurrë.

Kjo filozofi ka formësuar stilin e saj të drejtimit. Ajo beson në drejtësi, meritë dhe ndërtimin e organizatave ku puna e ndershme ka më shumë peshë se origjina. Si lidere, ajo inkurajon mentorimin, përfshirjen dhe guximin për të menduar ndryshe. Për të, lidershipi nuk ka të bëjë me pushtetin, por me krijimin e hapësirës që të tjerët të ngrihen.

Kapërcimi i pengesave dhe ndikimi i ndryshimit

Rruga e saj nuk ka qenë e lehtë. Ajo është përballur me barriera kulturore, paragjykime gjinore dhe momente të shumta pasigurie. Por çdo sfidë e ka forcuar. Ritjana di si ta kthejë vështirësinë në motivim, aty ku të tjerët shohin pengesa, ajo sheh mundësi për ndryshim.

Suksesi i saj është një kujtesë e fuqishme se nuk është origjina që përcakton fatin, por përpjekja.

Vizioni për të ardhmen

Duke parë përpara, misioni i Ritjanës mbetet i qartë: të krijojë mundësi për të tjerët dhe të frymëzojë një brez të ri liderësh. Ajo dëshiron të mbahet mend jo thjesht si një grua që theu barrierat e karrierës, por si një urë që lidh ambicien me mundësinë, privilegjin me potencialin.

Trashëgimia e saj është fuqizimi, një mesazh për çdo vajzë e grua se vendi ku fillon nuk përcakton se sa larg mund të shkosh.

Këshilla për brezin e ri

Sot nënë, Ritjana e sheh ambicien me një thellësi të re. Këshilla e saj për vajzën dhe për të rinjtë është e thjeshtë, por e fuqishme: Ndiq pasionin tënd pa frikë. Mos lejo që frika, origjina apo rrethanat të përcaktojnë ëndrrat e tua. Bota do të të sfidojë, por çdo sfidë është një përgatitje për diçka më të madhe.

“Qëndro modeste, qëndro e uritur për dije”, thotë ajo shpesh, “sepse qëndrueshmëria dhe qëllimi do të të çojnë më larg se çdo privilegj.”

Trashëgimia e fuqizimit

Historia e Ritjana Çevelit nuk është thjesht një rrëfim suksesi personal, por një dëshmi e fuqisë së besimit, arsimit dhe punës së palodhur. Nga rrugët e Shqipërisë deri në sallat e bordit në Dubai, ajo ka provuar se guximi mund të ndryshojë jetën.

Ajo ka kthyer pengesat në mundësi, sfidat në qëllim dhe ëndrrat në realitet, duke frymëzuar shumë të tjerë që të besojnë se suksesi nuk njeh kufij. Në një botë ku shpesh privilegji përcakton fatin, Ritjana qëndron si dëshmi e gjallë se fuqia e vërtetë qëndron te këmbëngulja dhe se kushdo, me qëndrueshmëri dhe pasion, mund të sjellë ndikimin që shkon përtej kufijve dhe brezave.

Përshtati në shqip: Vali Qyrfyçi

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Arrestohet në Francë Ermal Beqiraj i dosjes AKSHI

Autoritetet franceze kanë arrestuar Ermal Beqiraj i shpallur në kërkim nga SPAK, për aferat me AKSHI, konfirmon policia...

“Vrasësi i heshtur”! Në Shqipëri 3500 persona marrin mjekim për Hepatit B, vaksina e eliminoi te fëmijët

Në Shqipëri, 3500 persona marrin mjekim për hepatitin B, i shkaktuar nga një virus që dëmton mëlçinë. Me...

Aksident në Korçë, makina përplas nënën me fëmijën në karrocë teksa kalonte rrugën

Një aksident është regjistruar mesditën e kësaj të marte në lagjen nr. 10 të qytetit të Korçës, në...

Skemë mashtrimi për t’iu vjedhur llogaritë në WhatsApp, Policia apel qytetarëve: Kujdes, mos klikoni linke të dyshimta

Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar ndaj tentativave për marrjen e aksesit në...