Kjo gjendje nuk erdhi as pas një dite, as pas një muaji dhe as pas një viti, por edhe nga lehtësimi/favorizimi prej partnerëve ndërkombëtarë i një autokracie me “uri neo-diktatoriale”.
Ideimi dhe mbështetja e reformës zgjedhore, të certifikuara/bekuara edhe nga institucionet e BE-së, lehtësuan instalimin gradual dhe në rritje të pushteteve të babëzitura.
Publikisht kam qenë dhe jam kundër dhunës partiake ndaj çdo objekti, qoftë privat apo publik.
Kam bërë thirrje të vazhdueshme se opozita duhet të luftojë me mjete demokratike vetëm në Parlament.
Sheshet duhet t’i takojnë popullit që proteston për jetën e përditshme, kundër nepotizmit, korrupsionit dhe kapjes së shtetit.
Megjithatë, sot jemi në një pikë ku BE-së, Bankës Botërore dhe EBRD-së po u del “tymi” i disa dështimeve të tyre në Shqipëri.
Dashamirësit reciprokë duhet të flasin dhe të diskutojnë sinqerisht mes tyre, edhe kur disa të vërteta nuk janë të ëmbla.
1.Pse nuk reagoi menjëherë BE-ja kur filloi kanabizimi i gjithë Shqipërisë? Rama e shiti këtë si një strategji të toleruar edhe nga vetë BE-ja.
Si studiues i ekonomisë, kam deklaruar dhe e rishpreh: nuk njoh asnjë individ, biznes, e aq më pak shtet, që të jetë pasuruar në mënyrë të qëndrueshme dhe në rritje duke toleruar aktivitetet dhe paratë kriminale.
2.Përse nuk u shqetësua BE-ja kur në vitin 2008 u ndryshua Kushtetuta, duke i shndërruar partitë politike në “SHPK” me pronarë individualë (Berishën dhe Ramën)?
Të dy bashkë vranë demokracinë e brendshme, kriminalizuan partitë e tyre dhe, rrjedhimisht, edhe politikën dhe ekonominë e vendit tonë.
3.Si nuk u shqetësua BE-ja për ndryshimet e shpeshta në Kodin Zgjedhor që thelluan dhe rritën “deficitin demokratik”? Partitë e mëdha përfitojnë një deputet me 10,000 vota, ndërsa çdo parti e “vogël” dhe/ose e re me 60,000 vota merr përsëri vetëm një.
Kjo pabarazi ushqen kriminalizimin, kapjen e shtetit dhe qeverisjet autokratike.
4.Si ka mundësi që BE-ja “mbështeti” një reformë që favorizon vetëm oligarkët dhe “investitorët strategjikë” të përzgjedhur nga KM?
Ja tre shembuj:
1)Ulja e tatimit mbi dividentin nga 15% në 8% me fuqi prapavepruese (antikushtetuese).
2)Mosformalizimi i llotarive sportive, ku nga një treg potencial prej 900 milionë eurosh, shteti humbet mbi 200 milionë euro të ardhura nga licencat dhe sigurimet.
3)Mungesa e transparencës në publikimin e kompanive përfituese nga dy ligjet e mësipërme.
5.Si hesht dhe nuk imponon një zgjedhje BE-ja me një reformë që po rezulton në “drejtësi të mohuar”?
(i) Dosjet stok janë rritur nga 16 mijë në 200 mijë (13 herë më shumë).
(ii) Afatet: Koha e gjykimit deri në shkallë të fundit është zgjatur nga 8 vite në mesatarisht 15.1 vite.
6.Si ka mundësi që Banka Botërore dhe EBRD-ja janë kthyer në banka kryesisht tregtare apo “shitëse kredish”?
Ndoshta kjo vjen nga konkurrenca e kredive kineze pa kushte, por bankat e zhvillimit nuk duhet të financojnë pa kritere.
Kriteret përfituese nga kreditë e tyre janë “filli i kuq” që i dallon nëse janë apo jo institucione zhvillimi.
7.Pse nuk u shqetësuan këto banka kur Rama përjashtoi kompanitë ndërkombëtare nga tenderët për investime disa qindra milionë euro?
Rezultati: cilësi minimale dhe kosto maksimale.
Në vitin 2025 rezultojnë të shpërdoruara mbi 1.2 miliardë euro.
Sipas vetë BB-së, kostoja e humbjes së taksave në infrastrukturë në vende si Shqipëria arrin në 36%, kundrejt 12% në vendet e zhvilluara.
8.Pse hesht BE-ja për aplikimin e PPP-ve, të cilat i quaj “Partneritete Publike-Private-Preferenciale” (4P)?
9.Prokurimet publike dhe kompanitë “fantazma”: A e dini se 80% e projekteve strategjike u jepen individëve edhe me zero eksperiencë teknologjike dhe me kapital vetëm deri në 100,000 lekë ose 10,000 euro?
A di BE-ja se 4P-ve të portit të Vlorës rreth 60 milionë euro i janë dhënë një pensionisti pa asnjë garanci teknologjike dhe financiare?
A do të parandalohej, hetohej dhe dënohej kjo praktikë me elemente të qarta korruptive në vendet tuaja?
10.Kalimi i mbështetjes financiare të BE-së si ndihmë e pakushtëzuar buxhetore është, në thelb, lehtësim për shpërdorimin e parave të taksapaguesve evropianë? Kjo nxit hezitimin për anëtarësimet e reja.
11.Si e financon BE-ja Kolegjin Evropian që po ndërtohet mbi truallin e deklaruar dhe premtuar disa herë publikisht si ndërtesa e re e Korpusit Universitar?
Në ndërtesën e Kolegjit Evropian do t’u shërbehet 300 deri në 500 studentëve.
Në Korpusin Universitar do t’u shërbehej mbi 70 mijë studentëve.
Këto “qoka personale ndërkombëtare” bëhen për të blerë heshtjen e ndërkombëtarëve për keqqeverisjen e tij autokratike.
Ne jemi vend sovran, por që nga viti 1991 ia “vetëdorëzuam”, pa të drejtë kthimi pas, partnerëve strategjikë.
Jam mirënjohës i BE-së, por jo “mirënjohës i verbër”.
Kredidhëniet (jo grantet) e institucioneve ndërkombëtare paguhen deri në qindarkën e fundit nga taksat tona.
Dështimi i shumë projekteve miliardëshe të BE-së dhe institucioneve financiare ndërkombëtare është një “taksim i paaftësisë edhe të tyre” mbi taksapaguesit e varfër.
Këto dështime rëndojnë padrejtësisht mbi kurrizin e një populli që historikisht ka qenë deri në 95% pro SHBA & BE.
Opsioni euro-atlantik për Ballkanin Perëndimor, në favor të stabilitetit të rajonit duke cenuar/përkeqësuar demokracinë dhe duke mbështetur autokracitë, rezulton qartësisht i dështuar.
Ballkani Perëndimor dhe sidomos Shqipëria, edhe pas 35 viteve, mbetet më i varfëri.
Arben Malaj


