Tek ne, kur një punë është shumë e madhe për një njeri, zakonisht kemi vetëm dy zgjidhje. Ose shtrëngojmë dhëmbët dhe e bëjmë vetë, ose paguajmë dikë që ta bëjë për ne. Në një fshat malor të Japonisë ekziston një mënyrë krejt tjetër.
Kur çatia e një shtëpie ka nevojë për riparim, nuk vjen një punëtor. Nuk vjen as një ekip i vogël. Vjen i gjithë fshati. Ndonjëherë edhe më shumë se njëqind njerëz. Dhe brenda një dite të vetme, një çati e tërë rilind.
Ky vend quhet Shirakawa-go, një fshat i vendosur mes maleve të mbuluara nga bora në Japoninë qendrore. Shtëpitë e tij janë të njohura në mbarë botën për çatitë e tyre gjigante prej kashte, të pjerrëta si dy duar të bashkuara në lutje. Ato janë ndërtuar në atë mënyrë që dëbora e rëndë e dimrit të rrëshqasë poshtë pa i shembur.
Gjithsesi dhe këto kryevepra arkitekturore nuk janë të përjetshme. Pas 20 ose 30 vitesh, kashta konsumohet dhe çatia duhet rindërtuar pothuajse nga e para. Është një punë kolosale që kërkon tonelata materiali, aftësi të rralla dhe shumë duar pune. Asnjë familje nuk mund ta përballojë e vetme.
Këtu hyn në lojë një traditë e lashtë që ende jeton: yui.
Yui është sistemi i ndihmës së ndërsjellë që mban gjallë komunitetin. Kur vjen dita për të riparuar një çati, dhjetëra e dhjetëra banorë mblidhen që në agim. Të rreshtuar mbi shtresat e kashtës, ata punojnë si një trup i vetëm dhe arrijnë të përfundojnë një pjesë të tërë të çatisë brenda ditës. Pamja është mahnitëse: një komunitet i tërë që ngrihet për një familje të vetme.
Por ajo që e bën këtë sistem vërtet të jashtëzakonshëm është një detaj i vogël.
Fshati mban një regjistër. Në të shënohet kush ka ardhur për të ndihmuar dhe sa tufa kashte janë marrë hua. Jo sepse njerëzit nuk i besojnë njëri-tjetrit. Përkundrazi.
Ky regjistër kujton se ndihma nuk është bamirësi që rrjedh vetëm në një drejtim. Është një premtim i ndërsjellë. Ti vjen sot për të riparuar çatinë time dhe unë e di se nesër, kur të vijë radha jote, do të jem aty me duart e mia gati për punë.
Askush nuk është vetëm ai që jep. Askush nuk është vetëm ai që merr. Të gjithë, herët a vonë, i bëjnë të dyja.
Kur Shirakawa-go u njoh si Trashëgimi Botërore, vlerësimi nuk ishte vetëm për shtëpitë e tij të rralla. Ishte edhe për këtë mënyrë të jashtëzakonshme të të jetuarit së bashku.
Dhe pikërisht këtu fshihet mësimi më i madh.
Edhe në jetën tonë ka çati që nuk mund t’i riparojmë vetëm. Ka sëmundje, humbje, zhvendosje, kriza dhe periudha kur gjithçka duket se po shembet njëherësh. Megjithatë, shumë prej nesh janë rritur me bindjen se të kërkosh ndihmë është shenjë dobësie, se forca matet me aftësinë për të duruar vetëm.
Kështu vazhdojmë të mbajmë peshën mbi supe, në heshtje, duke menduar se është më dinjitoze të vuash sesa të thuash: “Kam nevojë për ndihmë.”
Shirakawa-go na tregon të kundërtën.
Atje, njerëzit më të fortë nuk janë ata që mbajnë gjithçka vetëm. Janë ata që kanë ndërtuar një rrjet marrëdhëniesh ku mund të mbështeten kur vjen dimri, duke ditur se edhe ata vetë do të jenë mbështetje për të tjerët.
Edhe regjistri i tyre i vjetër bart një të vërtetë të thjeshtë se pranimi i ndihmës nuk të ul. Nuk të bën më pak të denjë. Përkundrazi, të kujton se je pjesë e diçkaje më të madhe se vetja, e një komuniteti.
Ndihma e shëndetshme nuk krijon bamirës dhe përfitues. Ajo krijon lidhje.
Sot mund të jesh ti ai që ka nevojë për një dorë. Nesër mund të jesh ti ai që ia zgjat atë dikujt tjetër.
Dhe ndoshta tragjedia më e madhe nuk është të kërkosh ndihmë. Tragjedia është të jetosh jashtë atij rrethi, duke besuar se nuk ke nevojë për askënd, sepse kur të bjerë bora e rëndë e jetës, askush nuk duhet të mbetet vetëm mbi çati.
©ZëriOnline


